Një histori shumë të dhimbshme solli sot rubrika "Ka një mesazh për ty" në "E diela shqiptare". Majlinda jeton në Londër dhe përmes një lidhje Skype rrëfeu dhimbjen që familja e saj po përjeton. Dy vëllezërit e saj u nisën për të shkuar në Itali në 28 nëntor 1995, por që nga ai moment nuk kanë më asnjë informacion prej tyre. I vetmi lajm është mbytja e një skafi në Vlorë, në po të njëjtën datë që ata ishin nisur. Nuk e dinë nëse 2 vëllezërit e saj ishin apo jo në atë skaf dhe kjo enigmë i ka shoqëruar prej vitesh.

"Babi shpreson, edhe ne… Unë për vete jam shumë optimiste dhe shpresoj se një ditë do të dalin. Nuk e di, kam dëgjuar lloj-lloj ngjarjesh, situatash, në internet kam lexuar që mbas 25 vjetësh kanë gjetur fëmijët e humbur, nuk dihet problemi. Ndoshta jam edhe gabim dhe nuk duam ta pranojmë fatkeqësinë, por derisa të vdesim shpresojmë. Edhe babai e ka shprehur dhe thotë, me gojë mund ta flas, por me zemër se them dot që ata kanë vdekur, ose nuk janë gjallë", u shpreh Majlinda.

Ardit Gjebrea shkoi në shtëpinë e babait të djemve, Naim Xhetani i cili me lot në sy u dërgoi të bijëve sinjal për t’u bërë të gjallë, me vargjet e këngës që e ka shkruar vetë dhe nën interpretimin e artistit Esat Ruka.
