Nga Shqipëria / E Shtunë 9 Maj 2020, 21:09

Mendonin se janë më pak të prekur, sindroma e re e koronavirusit i merr jetën 3 fëmijëve

Tre fëmijë në Nju Jork kanë humbur jetën nga një sindromë e rrallë inflamatore që besohet të jetë e lidhur me koronavirusin. Lajmin e bëri të ditur guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, i cili tregoi se autoritetet shëndetësore po hetojnë 73 raste të ngjashme në të gjithë vendin. Cuomo njoftoi se të premten humbi jetën një 5-vjeçar i cili ishte fëmija i parë në New York që vdiq nga sindroma e rrallë inflamatore që besohet të jetë e lidhur me koronavirusin.

"Prindër kërkoni ndihmë mjekësore nëse fëmija juaj ka këto simptoma", shkroi në Twitter guvernatori: Temperaturë të zgjatur (më shumë se 5 ditë), vështirësi në ushqyerje, dhimbje barku, diarre ose të vjella, zbehje e lëkurës, vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpeshta zemre ose dhimbje në kraharor, urinon rrallë, përgjumje.

Aktualisht janë duke u bërë përpjekje për të mësuar më shumë mbi sindromën, të quajtur "Sindromi Inflamator i Multi-Sistemit Pediatrik i lidhur potencialisht me Covid-19". Doktorët në SHBA kanë filluar të raportojnë raste të fëmijëve me këtë sindromë, i cili mund të sulmojnë organe të shumta, të dëmtojë funksionin e zemrës dhe të dobësojë arteriet e zemrës. Sipas departamentit të shëndetit të Nju Jorkut, shumica e fëmijëve me këtë sindromë testojnë pozitiv ose për antitrupat Covid-19 ose me Covid-19.

Kjo sëmundje ka simptomat e sindromës së shokut toksik dhe sindromës Kawasaki, e cila shoqërohet me ethe, skuqje të lëkurës, ënjtje të gjendrave dhe në rastet më të rënda, inflamacion të arterieve të zemrës.

Jo çdo fëmijë që është prekur nga kjo sindromë ka testuar pozitivisht me koronavirus, por doktorët besojnë se janë të lidhura me njëra-tjetrën.