Në datat 8, 11, 15, 18 Qershor do të jepen provimet e maturës. Maturantët kanë filluar me përgatitjet dhe së fundmi drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi ka dhënë detaje në lidhje me korrigjimin e tezave.
Siç është bërë e ditur dhe më parë, i gjithë testi do jetë i organizuar në pyetje me alternativa. Për këtë arsye Vrapi bëri me dije se korrigjimi do të bëhet në mënyrë digjitale.
“Nxënësit pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave.
Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish, bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar,” tha ajo.
