Ditën e sotme Këshilli i Ministrave ka marrë më në fund një vendim në lidhje me fatin e Teatrit Kombëtar. Pas shumë kohësh debat, është vendosur që teatri të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Bashkia do të ketë po ashtu në pronësi dhe sipërfaqen rreth tij. Vendimi i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare, bën me dije se bashkia e ka të ndaluar të ndryshojë destinacionin e pasurisë për ndërtimin e Teatrit apo ta tjetërsojë.
"Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “TeatriKombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqinde njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, me qëllim ndërtimin e njëgodine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar, në konsultim me të gjitha grupet e interesit, sipas hartës kadastrale që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshmetë pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa edytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorimtë njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, shkruhet në vendim.

