Nga Shqipëria / E Premte 8 Maj 2020, 09:09

Peshqirët përdoren vetëm një herë: Parukeritë hapen nën masa të rrepta

Më në fund pas dy muajve karantinë, vajzat dhe gratë do të kenë mundësi nga 11 maji të shkojnë në sallone bukurie. Por ashtu si në çdo sektor tjetër, edhe parukeritë dhe qendrat estetike do të hapen në masa të forta anti-covid, të hartuara në një protokoll nga Instituti i Shëndetit Publik.

Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht mjetet mbrojtëse për punonjësit nga sapuni, letra e dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve dhe kosha plehrash që duhen pastruar çdo ditë.

Punonjësit duhet ta mbajnë maskën në çdo moment, ndërkohë që klienti duhet të mbajë distancë dhe koha e shërbimit të jetë sa më e shkurtër.

Klienti duhet të pajiset me veshje plastike (qese) për këpucët, një përdorimëshe të cilat më pas hidhen në kosh.

Ata që kryejnë trajtim trupor duhet të veshin edhe veshje një përdorimëshe.

Karriget dhe poltronat ku qëndron klienti duhet të dezinfektohen, ndërkohë që peshqirët duhet të përdoren vetëm për një klient dhe më pas të hidhen në kosh.

Klienti dhe punonjësit duhet të mbajnë distancën prej dy metrash, ndërkohë që në hapësira të mëdha lejohet një klient në çdo 10 metra katrorë.

Çdo klient duhet të lërë një takim më parë në telefon, pasi nuk lejohet të krijohen radhë brenda ose jashtë subjektit që ofron shërbimin.