Maturantët kanë filluar të përgatiten për provimet, të cilat do të jepen përkatësisht në datat 8 (provimi i gjuhës së huaj), 11 (gjuhë shqipe), 15 (matematikë) dhe 18 Qershor (lëndët me zgjedhje). Provimet do të zgjasin 2 orë dhe do të nisin në orën 10:00.
Këtë të Enjte Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi ka lajmëruar se nëse nxënësit marrin telefon me vete dhe komunikojnë në mjedis do të penalizohen për 1 vit rresht, duke humbur të drejtën për ta dhënë sërish provimin.
“Rregullat më të forta kanë të bëjnë veçanërisht me besueshmërinë e të gjithë procesit. Pra, mos-marrjen e celularëve dhe mos-komunikimin në procesin e mjedisit. Këto janë të sanksionuara në rregulloren e Maturës Shtetërore. Prandaj bëj me dije: çdo maturant, ditën e provimit të mos ketë celular me vete, të mos komunikojë në mjedis. Në të kundërt, do të penalizohet dhe për 1 vit rresht, ai nuk do të ketë më të drejtë që ta japi këtë provim”, është shprehur Vrapi.
