Këtë të Mërkurë ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu që nga Poliklinika e Specialiteteve numër 3 në Tiranë ka deklaruar se do të nisë plani i hapjes së vizitave në kujdesin parësor dhe të specializuar.
“Asnjëherë sistemi shëndetësor nuk ka qenë i mbyllur, përkundrazi, për të gjitha urgjencat dhe nozologjitë që kanë kërkuar trajtim, sistemi shëndetësor është përgjigjur në kohë dhe me cilësi për qytetarët. Sistemi shëndetësor do të hapet me faza dhe do të fillohet me planin e hapjes së vizitave në kujdesin parësor dhe specialistik, ndërsa për konsultat apo ndërhyrjet kirurgjikale do të jetë një fazë e mëtejshme”, u shpreh Manastirliu.
Ajo ka bërë me dije se kjo hapje e mëtejshme e sistemit shëndetësor do të vlerësohet pas datës 11 Maj.
“Pasi të vlerësohet kjo periudhë dy javore se si do të shkojë epidemia, Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vlerësojë për fazat e mëtejshme të hapjes së sistemit shëndetësor. Për ne ka rëndësi mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe stafeve mjekësore”, shtoi ministrja.
