Nga Shqipëria / E Mërkurë 6 Maj 2020, 23:11

Qeveria miraton 55 mijë lekë shpërblim, ja kategoritë përfituese

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme dhënien e një shpërblimi 55 mijë lekë, për personelin që shërben në institucionet e përkundesjes sociale, të angazhuar në shërbimin ndaj personave të sistemuar në këto qendra deri në përfundim të epidemisë së Covid-19.

Nga ky shpërblim do përfitojnë të gjithë ata punonjës të qendrave sociale në varësi të Shërbimit Social Shtetëror dhe të bashkive, ku përfshihen:

-Punonjësit në azilet e të moshuarave,
-Punonjësit në rezidencat e viktimave të dhunës në familje, në qendrat ku strehohen personat me aftësi të kufizuara me afat të gjatë,
-Punonjësit e shtëpive të fëmijëve.
-Punonjësit që kanë shërbyer gjatë epidemisë në qendrat e strehimit për të mbrojtur viktimat e trafikimit ose viktima të mundshme trafikimi,
-Punonjësit e qendrave të të pastrehëve, qendrave të shërbimeve ditore, të shërbimeve multifunklsionale etj.

Vendimi i plotë:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi:

Dhënien e një shpërblimi në masën 55 000 (pesëdhjetë e pesë mijë) lekë, për personelin që shërben në institucionet e përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, që janë në përgjegjësi administrimi të Shërbimit Social Shtetëror dhe të bashkive, të angazhuar në shërbimin ndaj përfituesve të sistemuar në këto institucione deri në përfundim të epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19.

Shpërblimin e përfiton personeli që shërben në institucionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe që është caktuar nga drejtuesi i institucionit për të punuar përtej kushteve normale të punës, me qëllim parandalimin e infektimit nga COVID-19 të përfituesve të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore rezidenciale publike, sipas një grafiku të dakordësuar ndërmjet tyre.

Lista emërore e personelit, përfshirë ditët e angazhimit, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, miratohet çdo muaj me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror.

Fondi për shpërblimin e personelit të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.

Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Shërbimi Social Shtetëror dhe bashkitë përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./ "gazetareforma"