Ky është laboratori i vetëm kombëtar në Shqipëri për kryerjen e analizave për personat e dyshuar me koronavirus. TV Klan ka sjellë sot pamjet nga ky laborator që ka kryer 9,521 testime, ku 832 prej tyre kanë rezultuar pozitivë për Covid-19.
Procesi i analizave në laboratorin e virologjisë: Epidemiologët e terrenit janë të parët që përballen me të prekurit me Covid dhe ata që sjellin mostrat dhe i regjistrojnë në ISHP. Më pas puna vijon nga stafi i 6 specialistëve të shëndetit. Një nga procedurat më me risk pranë Laboratorit të Virologjisë në ISHP është inaktivimi i mostrës së infektuar.

"Një nga procedurat që kryhet është inaktivimi i mostrës, në mënyrë që mostra të mos jetë aktive dhe të mos përbëjë risk për personelin. Më pas një pjesë e mostrës ruhet në ngrirje për proceduren e ekstraktimit të materialit gjenetik”, shprehet për TV Klan Majlinda Kota, specialiste virologe.
I gjithë procesi i analizave kryhet në tre dhoma të ndara. Esktraktimi i materialit gjenetik dhe më pas analizimi i reagentëve kalojnë në një konfiguracion në kompjuter, që tregon nëse personi i dyshuar është apo jo pozitiv me Covid. I gjithë procesi zgjat 6 deri në 8 orë.
