Nga Shqipëria / E Hënë 4 Maj 2020, 17:05

Nard Ndoka flet për Covid-19: Në janar kam kaluar një grip agresiv

Ish-ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, ishte i ftuar sot në "Shqipëria live", ku gjatë emisionit mbështeti tezën se Covid-19, mund të ketë qenë që në muajin janar në Shqipëri. Ndoka tregoi se gjatë muajit janar përjetoi një grip mjaft agresiv për tre ditë, me simptoma të ngjashme me ato të Covid-19.

"Është një realitet që Shqipëria është përfshirë në një grip, që në janar. Është përfolur se mund të ketë pasur edhe humbje në jetë njerëzish në atë kohë. Nga fundi i janarit kisha një gjendje gripale, ndryshe nga herët e tjera, më e rëndë në simptoma. Kjo ishte një shqetësim i miqve tanë, ishte shumë agresiv si grip dhe më shoqëroi tre ditë. Edhe vitet më përpara kemi pasur Covid. As shkenca nuk është e qartë, nëse ishte një grip stinor apo prodhim në laborator, shumë e vështirë. Por rezistenca e njeriut e kalon në një formë apo në një tjetër. Në janar nuk kam patur vetëm unë simptoma të tilla, por është një realitet, sepse pati dhe mjek që e deklaruan. Janë shumë specialistë që e kanë ngritur këtë shqetësim", tha Ndoka.