Europa ka hyrë në 'fazën e dytë' të krizës koronavirus. Rrugët e Italisë sot ishin mbushur plot, pas 9 javëve karantinë. Sheshi i Shën Markut sot ishte për herë të parë plot me qytetarë, pas shumë javëve bosh. Në Milano trenat e metrotë u mbushën me 4 milion njerëz që u kthyen të punojnë në fabrika dhe në ndërtim. Të tjerë shkuan të kalonin ditën në park apo të vizitonin të afërmit.

Qeveria italiane tha se rajonet janë përgjegjëse për të siguruar distancimin shoqëror në transportin publik, por fotografitë treguan se ky rregull nuk po zbatohej rreptësisht.


Në Gjermani, mijëra fëmijë u kthyen në shkollë sot.
Në Portugali u hoq gjendja e jashtëzakonshme dhe dyqanet u rihapën.

Në Spanjë gjithashtu qytetarët pas 7 javësh karantinë, dolën për të shëtitur.

Sipas rregullave mbarëkombëtare për 'fazën e dytë' të krizës së koronavirusit, baret dhe restorantet mund të rifillojnë shërbimet e shpërndarjes ndërsa fabrikat lejohen të rifillojnë prodhimin nga sot. Njerëzve u lejohet të vizitojnë të afërmit e tyre, edhe miqtë e tyre, por vetëm brenda rajonit ku ata jetojnë. Maska është e detyrueshme në transportin publik dhe në disa shtete janë të detyrueshme edhe dorezat.



