Me anë të një videoje live në Facebook, ministrja e arsimit Besa Shahini ka folur rreth hapjes së universiteteve. Ajo u shpreh se çdo hapje e pjesshme duhet të bëhet me protokolle strikte në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i studentëve dhe pedagogëve.
Ajo iu ka kërkuar universiteteve të planifikojnë lëndët që mund të mbyllen online, në mënyrë që një pjesë e studentëve të mos kthehen në auditore. Universitetet do prezantojnë planet e tyre deri me datë 15 Maj.
“Kemi kërkuar nga universitetet që të planifikojnë se cilat janë ato lëndë që do të mbyllen plotësisht online – pra nuk do të kenë nevojë të kthejnë studentë fare në auditorë apo laboratorë; sa është numri i studentëve që kanë nevojë të kthehen në auditorë e laboratorë për punë të ndryshme para provimeve; dhe sa është numri i saktë i studentëve që do të bëjnë provime gjatë korrikut dhe fillim-gushtit të këtij viti – gjithmonë duke prioritizuar studentët që do të diplomohen”, tha Shahini.
