Nga Shqipëria / E Shtunë 2 Maj 2020, 19:07

Pas debatit në rrjet, Mira Kazhani jep dorëheqjen nga UKT

Pas debatit në rrjet për punësimin e saj dhe të Bieta Sulos në UKT, gazetarja e njohur Mira Kazhani ka dhënë dorëheqjen. Burime nga UKT Tiranë për redaksinë e "newsbomb.al" kanë bërë me dije se ka qenë vetë gazetarja Mira Kazhani që ka kërkuar dorëheqjen nga posti që mbante pranë kësaj kompanie.

Pas artikujve e komenteve të shumta në rrjet dy ditët e fundit, Kazhani reagoi sot për herë të parë përmes një shkrimi në portalin "Tirana Post".

Gazetarja shkruante se kjo është hera e dytë që punon këshilltare dhe ka punuar edhe në qeverinë Berisha në vitin 2010. Mira shprehet se i duhet të bëjë një punë të dytë, gjë që nuk e ndalon asnjë ligj, sepse si çdo qytetar edhe ajo ka shpenzime. Në fund gazetarja shkruan se rrjeti nuk ka faj sepse lajmi sipas saj u orkestrua për të mbuluar 'hallet e ditës'. "Por do gjej një tjetër, dy, tre, sepse të punoj është e vetmja mënyrë që njoh!", shkruante Mira.