Nga Shqipëria / E Enjte 30 Prill 2020, 12:12

Mjekët shqiptarë në Itali festojnë me muzikë dhe birra, policia i gjobit

Mjekët shqiptarë të cilët shkuan në Itali për të ndihmuar në luftën kundër Covid-19, janë sot në qendër të vëmendjes së mediave italiane, por këtë herë jo për mirë. 

Gazeta "Corriere" bën të ditur se mjekët shqiptarë kanë festuar mbylljen e misionit me birra dhe muzikë në dhomën e hotelit. Ka mjaftuar kjo që pronari i hotelit të thërrasë policinë. Grupi i mjekëve shqiptarë që prej një muaji qëndruan në Itali, e do të kthehen sot në Tiranë, janë gjobitur nga policia.

Gjobat e marra shkojnë deri në 500 euro. Mediat italiane shkruajnë se disa shfaqën rezistencë ndaj policisë.

"Duhet të sqarojmë se çfarë ndodhi mbrëmë dhe kushdo që ka përgjegjësi do përgjigjet për të", tha Gianpaolo Natali, këshilltar i Fratelli d'Italia në Brescia. "Këta njerëz mbërritën në Itali me urdhër të kryeministrit të tyre për të na ndihmuar në një nga momentet më të errëta. Tani ata do të kthehen në Shqipëri me nëntë gjoba prej 500 eurosh. Duhet të mësojmë çfarë ndodhi mbrëmë në hotel dhe kush është përgjegjësi. Çështja do diskutohet në parlament", tha ai.