Nga Shqipëria / E Enjte 30 Prill 2020, 19:07

Agjencitë e inteligjencës amerikane: Koronavirusi nuk është krijuar nga njeriu

Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Koronavirusi nuk është krijuar nga njeriu dhe nuk është i modifikuar gjenetikisht. Ata ende po ekzaminojnë për të zbuluar nëse origjina e pandemisë ka ardhur nga kafshë të infektuara apo nga një aksident në laboratoret kineze.

Deklarata nga Zyra e Drejtorit të Inteligjecës Kombëtare Amerikane ka ardhur pasi presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij hodhën teorinë e paprovuar se shkak për burimin e pandemisë është bërë një laborator i sëmundjeve infektive në Wuhan.

"Komiteti i inteligjencës pajtohet me konsensusin shkencor që Covid-19 nuk është prodhuar nga njeriu dhe nuk është i modifikuar gjenetikisht. Kërkimet do të të vazhdojnë për të përcaktuar nëse shpërthimi i virusit erdhi nga kontakti me kafshë të infektuara ose nëse ishte rezultat i një shpërthimi në Wuhan", thuhet në deklaratë.

Sekretari i shtetit, Mike Pompeo është shprehur: "Fakti që ne nuk dimë përgjigjet- ose më mirë të themi, fakti që Kina nuk na i ka bërë të ditura përgjigjet, është shumë domethënës." Po ashtu ai i bëri presion Kinës të linte ekspertë të jashtëm në laborator, për të përcaktuar saktësisht se ku filloi ky virus.

Shkencëtarët mendojnë se virusi u lind natyrshëm nga lakuriqët por pavarësisht kësaj, Pompeo dhe të tjerët kanë drejtuar gishtat në një institut që drejtohet nga Akademia e Shkencave Kineze.

Nga ana tjetër qeveria kineze në një deklaratë për mediat të enjten u shpreh se akuzat se Koronavirusi është krijuar nga një laborator, janë të pabazuara dhe të sajuara nga hiçi. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang ka treguar se laboratori zbaton rreptësisht procedura bio që do të parandalonin lëshimin e çdo patogjeni. Po ashtu ai kritikoi politikanët e SHBA-së që sugjerojnë se Kina duhet të mbajë përgjegjësi për pandeminë globale.

Nëse administrata e Trump do të gjejë prova që tregojnë se virusi ka ardhur nga laboratori në Kinë, presidenti ka deklaruar se do të ndërmarrë masa të larta ndaj Kinës dhe do të kërkojë dëmshpërblim.

Burimi: "Daily Mail"