Nga Shqipëria / E Enjte 30 Prill 2020, 16:04

Rama njofton rregullat e reja dhe orarin e lëvizjes për në fundjavë

Përmes një statusi në llogarinë e tij të Facebook-ut kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur rregullat e fundjavës. Ai ka njoftuar se të Shtunën dhe të Dielën do kenë liri dalje të gjithë pensionistët dhe prindërit me fëmijë deri në 14. Pensionistët mund të dalin deri në orën 10.00 ndërsa prindërit nga ora 11.00 deri në orën 17.30.

Po ashtu Rama ka bërë me dije se këtë të Shtunë do qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30, ndërsa të dielën do të jenë të gjitha mbyllur. Lëvizja e automjeteve private është ketegorikisht e ndaluar (përpos atyre që punojnë me autorizimet përkatëse).

Njoftimi:

Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, pensionistët do të lejohen të dalin lirisht deri në orën 10.00.

Të gjithë të tjerët në shtëpi brenda kësaj fashe orare

Të shtunën 2 maj dhe të dielën 3 maj, prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç do të lejohen të dalin lirisht nga ora 11.00 deri në orën 17.30.

Të shtunën 2 maj do të qëndrojnë hapur vetëm ushqimoret dhe farmacitë deri në orën 17.30.

Të dielën të gjitha mbyllur

Gjatë të shtunës 2 maj dhe të dielës 3 maj do të ndalohet kategorikisht qarkullimi i automjeteve private (përjashtuar ata që punojnë me autorizimet përkatëse)️.

Kujdes! Nga sjellja e duhur në distancimin social dhe zbatimi i rregullit bazë të mosgrumbullimit jashtë qelizës familjare gjatë fashës orare të lëvizjes këtë fundjavë, varet ecuria e mëtejshme pozitive e kësaj lufte deri këtu të zhvilluar shkëlqyeshëm, po edhe vendimmarrja jonë për më tej.