Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, bëri të ditur se deri më tani në vendin tonë janë riatdhesuar mbi 2 mijë qytetarë. Ministrja u shpreh se pritet që deri në datën 6 Maj ky numër të shkojë në mbi 3200.
“Duke filluar nga data 18 Prill kemi sjellë 2350 qytetarë, deri më 5 dhe 6 Maj të kemi arritur mbi 3200 qytetarë shqiptarë që janë ndodhur jashtë kufijve në momentin e mbylljes së kufijve”, tha ministrja.
Karantinimi vazhdon të jetë i detyrueshëm për të gjithë, por nga kjo përjashtohen pacientët e sëmurë rëndë dhe rastet e minorenëve.
“Karantinimi vazhdon të jetë i detyrueshëm, të vetmet rastet që bëjnë përjashtim janë rastet e pacientëve me diagnozë të rëndë ose rastet e minorenëve që duhet të karantinohen pranë familjeve të tyre”, tha Balluku.
Burimi: tvklan.al
