Kryeministri Boris Johnson dhe e fejuara e tij, Carrie Symonds kanë njoftuar lindjen e fëmijës së tyre. Një zëdhënës i kryeministrit tha se nëna dhe fëmija janë shumë mirë. Carrie Symonds ka sjellë në jetë një djalë.

Johnson, i cili sapo është shëruar nga koronavirusi, ishte i pranishëm gjatë lindjes, në një spital në Londër.

Çifti ka marrë shumë mesazhe urimi dhe babai i kryeministrit tha se ishte shumë i lumtur dhe i emocionuar nga lindja e nipit të tij.

Vogëlushi i porsalindur është fëmija i parë i Symonds, ndërsa Johnson ka edhe 4 fëmijë të tjerë nga martesat e mëparshme.

Johnson, 55 vjeç, dhe Symonds, 32, e dhanë në Mars lajmin e bukur se po prisnin një fëmijë.


