Nga Shqipëria / E Martë 28 Prill 2020, 15:03

Gjermania pendohet: Lehtësuan masat, rritet numri i rasteve të reja

Shkalla e infeksionit të koronavirusit në Gjermani raportohet të jetë rritur, pak pasi qeveria nisi të lehtësojë masat. Kështu vendi po i rikthen sërish kufizimet duke i bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi. 

Autoritetet kanë raportuar një rritje të lehtë të nivelit të riprodhimit të virusit. Instituti Robert Koch tha se niveli i riprodhimit është rritur nga 0.9 sa ka qenë tani vonë, në 1.0. Çdo shifër nën 1 nënkupton se virusi është duke rënë, ndërsa gjithçka mbi 1 do të thotë se po rritet.

Në fillim të marsit, niveli i riprodhimit ishte 3.0, ndërsa më 8 prill ka qenë 1.3, sipas REL.

Instituti Robert Koch për sëmundje infektive njoftoi se ka regjistruar edhe 1,144 raste të reja me koronavirus, që e rrisin në 156,337 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Gjermani.

"Numri duhet të qëndrojë nën një, ky është qëllimi", tha Lothar Wieler presidenti i Institutit Robert Roch, në një konferencë shtypi të martën, raporton Reuters.

Wieler u bëri thirrje gjermanëve që të ruajnë distancën pavarësisht lehtësimit të masave.