Nga Shqipëria / E Hënë 27 Prill 2020, 19:07

Për shqiptarët që tremben nga eksperimenti i OBSH, ja çfarë duhet të dini

Ditën e djeshme Organizata Botërore e Shëndetit bëri të ditur se Shqipëria do të marrë pjesë në Studimin klinik të Solidaritetit, mes 100 vendeve të tjera. Ky studim konsiston në gjetjen e mjekimit të efektshëm kundër Covid-19 në një kohë sa më të shpejtë.

Pas publikimit të këtij lajmi, shumë shqiptarë reaguan të indinjuar. “Duhet të çohemi kundër kësaj që po ndodh!”, komenton njëri. “Mos pranoni që ta bëni se do t’ju kushtojë jetën”, shkruan një tjetër. “Po pse pikërisht duhet të testohet populli shqiptar që ka shumë pak raste dhe mos të testohet atje ku ka mijëra vdekje apo është një akord politik?”, komenton një tjetër.

E vërteta është se nuk ka asgjë për t’u trembur. Në studim përfshihen pacientët në moshë të rritur me Covid-19, të hospitalizuar dhe do të jenë vetë ata që do të vendosin nëse dëshirojnë të marrin medikamentet në studim apo jo.

Por çfarë janë këto medikamente? OBSH bën të ditur se Përmes Studimit Klinik të Solidaritetit do të studiohen medikamentet:
- Klorokuin ose hidroksilklorin;
- lopinavir dhe ritonavir;
- lopinavir/ritonavir plus interferon beta,dhe remdesivir.

Klorokuin është përdorur prej kohësh për trajtimin e malaries për të zvogëluar ethet dhe inflamacionin. Ka shpresë se do të ndihmojë gjithashtu në kurimin e Covid-19. Nga studimet në laborator rezulton se Klorokuin bllokon koronavirusin, thotë James Gallagher, korrespondent i shëndetit. Administrata e Ushqimeve dhe Barnave në SHBA, organi përgjegjës për licensimin e ilaçeve në Amerikë, ka dhënë autorizim për këtë medikament në trajtimin e Covid-19. Kjo nuk do të thotë se ky medikament funksionon 100 përqind, por në rrethana specifike, spitalet mund ta përdorin ilaçin për të trajtuar Covid-19.

Sipas qeverisë amerikane 30 milion doza hidroksilklorin janë dhuruar në stokun kombëtar nga një kompani farmaceutike gjermane.Vende të tjera po përdorin gjithashtu ilaçe anti-malariale, por në shkallë të ndryshme. India ka rekomanduar përdorimin e hidroksilklorinës si një trajtim parandalues për punonjësit e kujdesit shëndetësor, si dhe familjet në kontakt me raste të konfirmuara nëse ata kanë një recetë nga një mjek. Gjithashtu disa vende të Lindjes së Mesme kanë autorizuar përdorimin e këtij medikamenti duke përfshirë Bahreinin (i cili ishte një nga vendet e para që përdori hidroksiklorurinë në pacientët me koronavirus), Marokun, Algjerinë dhe Tunizinë.

Sa i përket lopanivir dhe ritonavir, medikamente të përdorura për të kuruar HIV, doktorët i kanë quajtur “një dritë në fund të tunelit”. Mjekët në Bangkok kanë parë sukses në trajtimin e rasteve të rënda me koronavirus, me kombinimin e ilaçeve për gripin dhe atyre të HIV. Mjekët nga spitali Rajavithi në Bangkok thanë se një trajtim i tillë, ku përfshihej lopinavir dhe ritonavir, kishte përmirësuar gjendjen e pacientëve të tyre. Gjihashtu në Kinë po përdoren këto medikamente për luftuar koronavirusin.

Ndërkohë në Japoni së shpejti do të aprovohet përdorimi i remdesivir për trajtimin e pacientëve me koronavirus. Një zyrtar i qeverisë tha se ky medikament do të miratohet muajin tjetër për të trajtuar pacientët me Covid-19, ata që kanë probleme respiratore për shkak të koronavirusit, derisa të gjendet një vaksinë. Remdesivir është prodhuar si një trajtim për Ebola-n. Kohët e fundit gazeta “New England Journal of Medicine” publikoi një studim që tregonte efektivitetin e këtij medikamenti në gati 70 përqind të pacientëve me koronavirus me simptoma të rënda, por duke shkaktuar edhe efekte anësore.Që të gjitha këto medikamente kanë efekte anësore kjo dihet, por gjithçka është në fazat e eksperimentit për të provuar a do të ndihmojnë këto medikamente të sëmurët me Covid-19 apo jo. Studmi i OBSH-së do të monitorohet nga Komiteti për të dhënat Globale dhe Monitorimin e Sigurisë, i përbërë nga një grup ekspertësh të pavarur.