Shefja e Shërbimit të Pneumologjisë, Silvana Bala ka dhënë së fundmi një intervistë për "ABC News" rreth situatës së krijuar nga Koronavirusi. Numri i të infektuarve në Shqipëri ka shkuar në 763, me 10 raste të reja në 24 orët e fundit.
Rreth gjendjes së pacientëve me Covid-19, ajo ka treguar: “Sot që flasim kemi një situatë të qëndrueshme. Kemi të sëmurë të cilët ndiqen në pavion në gjendje klinike stabël. Kemi dhe një të sëmurë i cili është i intubuar në reanimacion.”
Gjatë intervistës Bala u shpreh se personat që kanë humbur jetën nga Covid-19 kanë qenë të prekur nga sëmundje bashkëshoqëruese. Pacientët e prekur dhe nga Covidi dhe nga pneumonia i nënshtrohen një mjekimi të kombinuar në bazë të protokolleve të aprovuara nga OBSH.
E pyetur nga gazetari Endri Xhafo nëse pacientët që intubohen i humbin shpresat, ajo ka treguar se intubimi është shansi i fundit që mjeku i jep pacientit për të shpëtuar jetën.
"Është një procedurë mjekësore të cilën mjeku e bën për të shpëtuar jetën. Intubimi është shansi i fundit që mjeku i jep pacientit për të shpëtuar jetën.
Të sumurët me kronikë respiratorë, duhet patjetër të paraqiten tek mjeku i familjes apo në qendra ku ndodhen mjekë pneumologë. Nëse ne do të ruanim distancimin social, të përdornim maska dhe nëse do të kujdesemi që në shenjën e parë mund të kemi rezultate pozitive për parandalimin e kësaj pandemie", është shprehur Bala.
