Nga Shqipëria / E Hënë 27 Prill 2020, 22:10

Rikthimi në normalitet/ Flet Rama: Për 2-3 vjet...

Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme në një lidhje direkte për emisionin "Real Story" në "News24". Ai foli rreth situatës së krijuar nga Koronavirusi në vend duke u shprehur se kthimi në normalitet vjen vetëm me daljen e vaksinës.

Rama tha se qytetarët duhet të mësohen të jetojnë me frikën e infektimit dhe në çdo hap duhet të respektojnë masat. I pyetur se kur do të afrojë drita në fund të tunelit, pra kthimi në normalitet, ai ka treguar se çdo gjë bëhet hap pas hapi.

"Tani që flasim kemi afër 90% të biznesit në punë. Kështu që hapja jonë në aspektin e rikthimit në vendet e punës është masive, më masive se vendet e tjera. Janë disa aktivitete të tjera që do të happen javën e ardhshme dhe pastaj mbeten disa aktivitete që lidhen direkt me përhapjen e virusit, si qendrat tregtare, lokale, restorante, përfshirë edhe parukeritë.

Janë shumë të rrezikshme, se mjafton një klient i infektuar, ta transmetojë virusin te parukieret, klientët e tjerë, familjarët. Akoma nuk kemi hapur kufijë mes qyteteve dhe kjo do të ndodhë në javët në vijim, por nuk e dimë akoma kur. Po bëjmë një fragmentim të valës, duke u hapur në zonat e gjelbërta, ku do të shtojmë në fund të kësaj jave disa zona të reja. Por kthimi në normalitet, siç ishte para virusit, do të jetë vetëm kur të gjendet vaksina. Do të jetojmë edhe dy-tre vjet me rrezikun se mund të infektohemi", u shpreh kryeministri.