Zelanda e re pritet që të heqë disa masa kufizuese pasi siç tha kryeministrja, Jacinda Ardern vendi nuk ka asnjë rast transmetimi të infeksioneve që nuk është zbuluar dhe se me këtë fakt është 'fituar një betejë'.
Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë Ashley Bloomfield tha se shifrat e ulta tregojnë se kombi e ka arritur 'qëllimin e eliminimit' të virusit, duke shpjeguar se kjo nuk do të thotë që nuk ka më asnjë rast, por ekspertët e dinë tashmë se nga vijnë këto raste.
"Ne mund të kemi përsëri një numër të vogël rastesh, por kjo nuk do të thotë që kemi dështuar. Kjo do të thotë se ne jemi në pozitë të kemi tolerancë zero në qasje për të pasur një menaxhim shumë agresiv të atyre rasteve dhe për t'i mbajtur ato numra të ulët sërish", tha kryeministrja.
"Kanë kaluar gati 5 javë duke jetuar dhe punuar në një mënyrë që muaj më parë do e quanim të pamundur. Por ia dolëm së bashku", u shpreh Ardern.
Zelanda e Re aktualisht ka ndaluar hyrjen e të huajve në vend, përveç qytetarëve të saj dhe banorëve të përhershëm.
Gjatë orëve të fundit, në Zelandë është raportuar vetëm një rast i ri me Covid-19 dhe një viktimë. Në total atje ka pasur 1500 raste dhe rreth 80 përqind e tyre janë shëruar.
Burimi: CNN
