Policia e Shtetit ka ngritur postblloqet në zonat e gjelbërta për të ndaluar kalimin e qytetarëve në zonat e tjera. Zonat e gjelbërta janë Qarku Dibër, Qarku Gjirokastër, Zona e Përbashkët e bashkive Pogradec, Prrenjas, Librazhd, Zona e Përbashkët e bashkive Sarandë, Himarë, Konispol, Finiq si dhe Bashkia Divjakë.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka deklaruar se frekuentimi i plazheve është i ndaluar deri në një urdhër të dytë. Ai iu bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat dhe të tregohen të ndërgjegjshëm.
"Mbas inspektimit të pikave të kontrollit që do të vendosen midis qyteteve të Tepelenës dhe Mallakastrës dhe në Llogara, aktualisht jemi në qytetin e Sarandës për të inspektuar punën që po bëhet në terren në zonën e gjelbërt tashmë të bërë publike.
Për të gjithë qytetarët e kësaj zone, kjo mundësi për të lëvizur lirshëm midis fashave për moshën e tretë nga ora 06:00 deri në orën 08:30 dhe nga ora 09:30 deri në orën 17:30 për pjesën tjetër të popullsisë është një mundësi që nuk duhet keqpërdorur, por duhet shfrytëzuar duke respektuar të gjitha normat e sjelljes dhe detyrimet të cilat janë përcaktuar tashmë përsa i përket distancimit social, por edhe përsa i përket pjesës tjetër të mënyrës së lëvizjes, të cilët nuk duhet të jenë jo më shumë se dy persona apo mosfrekuentimit të parqeve, lokaleve e vendeve publike.
Kjo mundësi e dhënë, përveç ndërgjegjësimit të qytetarëve do të pasohet me kontrolle dhe monitorime të cilat do t’i bëjë Policia e Shtetit dhe do të pasohen në rast se do të konstatohen, me masa administrative gjobë, njëkohësisht duke u implementuar edhe ndryshimet e fundit të Kodit Penal, pas hyrjes në fuqi.
Qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm që kjo situatë stabël në zonat e gjelbërta të jetë në vazhdimësi, duke u dhënë mundësi zonave të tjera t’i shtohen kësaj skeme. Për të gjithë zonat e bregdetit ndalohet të futesh në det. Qytetarët të mos frekuentojnë plazhet deri në një urdhër të dytë që do përcaktojë si do veprohet me plazhet", është shprehur ai.
