Nga Shqipëria / E Diel 26 Prill 2020, 15:03

Humb jetën 44 vjeçari, rritet numri i viktimave nga Covid-19 në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se një tjetër pacient ka humbur jetën nga Koronavirusi, duke e çuar në 21 numrin e viktimave. Bëhet fjalë për një 44 vjeçar me inicialet M.I nga komuna e Gjilanit.

Ai ishte shtruar në Klinikën Infektive që me 17 Prill dhe ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. 44 vjeçari vuante dhe nga sëmundje bashkëshoqëruese. Në Kosovë janë 731 raste me Koronavirus ndërsa 165 qytetarë janë shëruar.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

Klinika Infektive ka njoftuar se sot me datë 26/04/ 2020 në orët e mesditës ka përfunduar me vdekje pacienti me inicialet M.I.(1976), nga komuna e Gjilanit.

Pacienti është spitalizuar në Klinikën Infektive me datën 17/04/2020, është konifrmuar me COVID-19, dhe është pranuar në gjendje shumë të rëndë.I njëjti prej vitesh vuante edhe nga sëmundje të tjera. Kjo është vdekje e 21-të në Kosovë prej koronavirusit Covid-19.