Nga Shqipëria / E Diel 26 Prill 2020, 14:02

Nesër nisin masat lehtësuese, orari i ri i lëvizjes dhe bizneset që do të hapen

Duke filluar nga nesër, data 27 Prill, nis lehtësimi i masave ndaj Koronavirusit. Ministrja Ogerta Manastirliu ka njoftuar ditën e sotme se strategjia e rihapjes graduale parashikon katër faza dhe në çdo fazë kujdesi do të jetë maksimal duke vlerësuar kurbën epidemiologjike, shpërndarjen e vatrave të infeksionit dhe transmetueshmërinë e tij si dhe përballimin nga strukturat spitalore.

"Kemi vendosur se duke filluar nga dita e Hënë do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në dy orë, duke ruajtur gjthmonë distancimin social.

Ashtu siç kemi lajmëruar po nga dita e Hënë do të lejohen të ushtrojnë aktivitet bizneset si më poshtë: dyqanet e veshjeve, të tekstileve, të këpucëve dhe artikujve prej lëkure, dyqanet që tregtojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe të artikujve shtëpiakë, dyqanet e luleve, bimëve, dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit si dhe shërbimet taksi.

Këto biznese lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm duke plotësuar dhe zbatuar protokollet e miratuara, duke ruajtur higjienën dhe distancimin.Në kuadër të lehtësimit gradual dhe shumë të kujdesshëm të masave, nga dita e Hënë do të fillojnë gjithashtu lehtësimet e posaçme për lëvizjen në zonat e gjelbërta, që kanë rrisk të ulët nga Koronavirusi.

Zonat e gjelbërta janë Qarku Dibër, Qarku Gjirokastër, Zona e Përbashkët e bashkive Pogradec, Prrenjas, Librazhd, Zona e Përbashkët e bashkive Sarandë, Himarë, Konispol, Finiq si dhe Bashkia Divjakë.

Në zonat e gjelbërta lëvizja e pensionistëve do të jetë nga ora 6:00 deri në orën 8:00 të mëngjesit. Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 9:30 deri në 17:30 të shoqëruar me jo më shumë se një person në krah. Përjashtim do të bëjnë personat që kanë autorizim pune, të cilët nuk do të penalizohen nga oraret e sipërpërmendura.

Në zonat e gjelbërta parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 2 personave. Përsa i përket mjeteve private të transportit, do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda qarkut apo bashkive përkatëse nga ora 9:00 deri në 17:30, me një person vetëm. Përtej këtij orari mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizimin përkatës nga e-albania", ka njoftuar Manastirliu.