Nga Shqipëria / E Shtunë 25 Prill 2020, 17:05

'Mami vdiq, s'kam para për qiranë', vogëlushi 14 vjeçar nga Gramshi bëhet me shtëpi të re

Historia e Mariglen Llapushit, një djalë 14 vjeçar në Gramsh, u bë publike nga "News24". Nëna e tij kishte ndërruar jetë para disa ditësh në një moshë të re ndërsa babai e kishte braktisur ende pa ardhur në jetë.

14 vjeçari jetonte me gjyshen e tij 82 vjeçare në një shtëpi me qira. Ai shprehej se natën nuk e zinte gjumi nga frika mos qeraxhiu e nxirrte jashtë ngaqë nuk kishte me se ta paguante.

"Nuk më zë gjumi, kam frikë se më vjen qeraxhiu e më nxjerr jashtë. Nuk kam para ta paguaj ndërsa për të ngrënë më ka lënë pak ushqime mami. Mami erdhi në qytet për një jetë më të mirë për mua. Punonte si kamariere me 150 mijë lekë në ditë. Paguante me borxhe shtëpinë me qira dhe thoshte që do ia dalim. Nuk donte të më mërziste.

Kur vinte nga puna i gjente punët e bëra se unë nuk doja që ajo ta kishte edhe këtë barrë. Ajo e neglizhoi sëmundjen. Një ditë i pashë në krah dy të nxira. Të nxirat i shtoheshin, në Tiranë shkoi kur ishte në gradën e fundit. Qëndroi 13 ditë në spital dhe nuk u kthye më, ndërroi jetë. Pa të asgjë nuk ka kuptim. Në telefon shikoj shpesh videot e saj dhe i dëgjoj zërin.

Tani unë jetoj me gjyshen por kursimet tona as një muaj nuk na dalin. Gjëja që dua më shumë është të paguaj qiranë, kërkoj ushqime. Ëndrra ime e vetme është të bëhem futbollist por më duhet mbështetje për ta realizuar", ka treguar djali për emisionin "Shqiptarët për shqiptarët".

Pasi u bë publik rasti, Elvis dhe Fatma Naçi kanë vizituar Mariglenin në Gramsh. Me ndihmën e emisionit "Shqiptaret për shqiptarët" ato i kanë dhuruar një shtëpi të re 14 vjeçarit dhe gjyshes së tij. Po ashtu atij do t'i jepet dhe një pension prej 500 eurosh në muaj.

Shtëpia që i kanë dhuruar i përkiste Lorencit që sot luan me Partizanin dhe e gjitha ka qenë rastësi. "Shpresojmë që dhe ti të ecësh në rrugën e sportit", i ka thënë Elvisi 14 vjeçarit.

“Kam një ënderr të bëhem futbollist. Nëse bëhem dua që paratë që do mbledh të ndihmoj ata që sot më ndihmuan mua”, është shprehur Marigleni.