Një sherr ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Fier. Një efektiv policie i stacionit të Roskovecit së bashku me një person tjetër kanë dhunuar një të ri në qendër të Fierit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 kur polici teksa ishte jashtë shërbimit ka ndaluar me makinën tip ‘Benz’ një të ri që punon si gazetar. Ky i fundit po lëvizte me makinën e tij ‘Opel’ së bashku me një vajzë.
TV Klan raporton se polici dhe miku i tij e kanë goditur disa herë gazetarin dhe me një cekiç i kanë thyer edhe xhamin e parë të makinës.
Kalimtarët kanë njoftuar policinë e cila nuk ka vonuar duke i shoqëruar të gjithë në komisariat.
Burime në vendin e ngjarjes thanë për TV Klan se shkak i sherrit janë bërë konfliktet për një vajzë.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu, efektivi i policisë së stacionit të Roskovecit u pezullua nga detyra. Për ngjarjen kanë nisur hetimet edhe Prokuroria e Fierit dhe Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa, ndërsa po kryhet edhe një hetim disiplinor nga vetë uniformat blu.
