Duke filluar nga e Hëna do të rifillojnë shërbimet me taksi vetëm për lëvizjet brenda qytetit. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar së fundmi rregullat që duhen ndjekur nga shoferët dhe pasagjerët gjatë pandemisë së Covid-19.
Sipas këtyre rregullave shoferi dhe pasagjeri duhet të jenë të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektant dhe duhen shmangur kontaktet fizike. Kondicioneri duhet të jetë i fikur dhe ajrosja të jetë natyrale me dritaret e mjetit disi të hapura.
Njoftimi:
Shoferi dhe pasagjeri duhet të jenë të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektant! Të shmangen kontaktet fizike!
Pasagjeri duhet të ulet mbrapa dhe diagonalisht me shoferin e mjetit. Lejohet vetëm 1 klient në automjet. Përjashtim rastet nga e njëjta familje dhe të shoqërimit me të mitur apo persona me paaftësi!
Kondicioneri duhet të jetë i fikur dhe ajrosja të jetë natyrale. Dritaret e mjetit të qëndrojnë pakëz hapur!
Mbuloni gojën dhe hundën me një pecetë ose bërryl kur kolliteni apo kur teshtini. Shmangni prekjen e syve, hundës ose gojës me duar të palara.
Pas pagesës me kartë/cash, shoferi dhe pasagjeri duhet të dezinfektojnë duart.
Pas çdo pasagjeri, shoferi të dezinfektojë: timonin, dorezat e dyerve të mjetit, sediljet, rripat e sigurimit, kontrollet e dritareve, butonin e bagazhit, etj.
