Nga Shqipëria / E Premte 24 Prill 2020, 21:09

Çfarë do të bëhet me tarifat e studentëve që kanë paguar konviktet? Flet drejtoresha e QS

Si pasojë e Koronavirusit, shumica e studentëve që qëndronin në konvikte janë kthyer në vendlindje, pranë familjarëve të tyre. Vetëm 78 studentë nga 4500 totali, vijojnë të qëndrojnë në konvikte për shkak të punës apo për arsye personale. 20 studentë nga këto janë kinezë.

Çfarë do të bëhet me tarifat e studenteve që kanë paguar konviktin por nuk ndodhen më aty nga Koronavirusi? Drejtoresha e QS, Anila Shehu ka treguar për "Top Channel" se kush nuk do të vijojë akomodimin për vitit tjetër akademik, do t'i kthehet tarifa.

"Që në momentin e largimit ne kemi marr masat për të dezinfektuar. Kemi të hapura vetëm 9 konvikte në 36 prej tyre, pjesa tjetër është e mbyllur se nuk pati studentë. Jo të 4500 studentët që kanë jetuar në Qytetin Studenti kanë bërë një pagesë të plotë.

Janë më pak se gjysma. Ka plot studentë që tarifën e bëjnë mujore dy mujore 3 mujore ose e kane ndarë me dy këste. Që kështu ne varësi të njoftimit zyrtar që do të bëhet për rifillimin e fakultetit ne do vijojmë të gjithë komunikimin me studentët. Kush nuk do dojë të vijojë akomodimin për vitin tjetër akademik tarifa do t’i kthehet. 

Tarifa e mbetur që nuk është marr shërbimi do t’u kthehet të gjithë studentëve në gjendjen e llogarisë bankare . Nëse studenti do të dojë që kjo tarifë ti rikonsiderohet për vitin tjetër akademik, do e plotësojmë", është shprehur Shehu.