Brenda 24 orësh është rritur ndjeshëm numri i rasteve të reja me Koronavirus në Spanjë, me pothuajse një dyfishim nga e djeshmja (4.635). Janë regjistruar 6.740 raste të reja duke e çuar në 219.764 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në mbarë vendin.
Megjithatë ka dhe një lajm të mirë. Autoritetet e shëndetësisë spanjolle kanë bërë me dije se brenda 24 orësh vendi ka shënuar numrin më të ulët të viktimave për më shumë se një muaj. 367 persona kanë humbur jetën duke e çuar në total 22.524 numrin e viktimave.
Qeveria ka deklaruar se vendi e ka kapërcyer fazën më kritike të sëmundjes.
"Ne kemi kapërcyer fazën më të vështirë, fazën më kritike të sëmundjes, falë përpjekjes së gjithë shoqërisë spanjolle", tha zëdhënësja e qeverisë Maria Jesus Montero në një konferencë për lajmet.
Spanja është vendi i dytë në botë për numrin më të lartë të personave me Koronavirus, pas SHBA-së (886.442). Përsa i përket numrit të viktimave Spanja rradhitet në vendin e tretë, pas SHBA-së (50.236) dhe Italisë (25.549).
Burimi: "Daily Mail"
