Nga Shqipëria / E Premte 24 Prill 2020, 13:01

Televizioni tha se 'vuri në rrezik stafin', reagon Alban Musa: Është alibi, unë pagova gjobë

Dy moderatorët e njohur, Alban Musa dhe Suada Daci janë larguar nga emisioni “Rreze Dielli”. Në një postim në rrjete sociale Albani deklaroi se një konflikt me drejtuesit ishte bërë shkas që ai të largohej. Ndërsa Suada u shpreh se puna i ishte kthyer në detyrë.

Ndërkohë përgjegjësit e televizionit "Report Tv" dhanë një version tjetër. Ata bënë të ditur se Alban Musa ka shkelur masat higjienike të vendosura nga televizioni si pasojë e Koronavirusit, duke u shprehur se ai ka vendosur në rrezik jetën e të gjithë stafit. Nga ana tjetër, sipas televizionit, moderatorja Suada Daci është larguar pas shkeljeve të vazhdueshme profesionale dhe të rregullave të punës në grup. 

Pas kësaj deklarate, dy moderatorët kanë reaguar në Instagram. Albani shkruan se versioni i televizionit në të cilin ai punonte është një alibi për t’ju kundërpërgjigjur zhurmës që shkaktoi largimi i tij.

"Për të gjithë ata që vazhdojnë të jenë kuriozë. Unë jam larguar nga pozicioni i mëparshëm pasi nuk pranova gjuhën dhe mënyrën e punës që më imponohej ditë pas dite. Sa për dijeni, kjo ishte dorëheqja ime e dytë në këtë tv, për të njëjtat arsye. Dua të sqaroj tani pak thyerjen e famshme të rregullave Covid. Gjithë çështja ka të bëjë me një video TikTok që unë kam bërë gjatë covid brenda studiove të TV, pa maskë, xhirimi i të cilës ka zgjatur jo më shumë se 2 minuta (për dreq nuk e kam më se do e kisha ripublikuar sepse ishte dhe e bukur). Për atë video kam marrë masë administrative (gjobë) të cilën e kam pranuar dhe paguar. Përdorimin e kësaj çeshtje për të bërë Mea Culpa besoj që edhe një fëmijë në moshën e time bijë e kupton që është alibi dhe kundërpërgjigje ndaj zhurmës që shkaktoi largimi im", shkruan Albani.

Ndërsa Suada shkruan: "Kjo është hera e parë dhe e fundit që unë flas për këtë çeshtje. Por dua ti falenderoj të gjithë kolegët që kanë qenë mbështetës në këtë situatë. Puna ka qenë gjithnjë aleatja ime nr 1 dhe do të jetë gjithnjë. Paralelisht me emisionin që drejtova kam punuar në Soiree në Top Channel, si dhe jam rikthyer pas tre muajsh shkëputjeje në radion Kombëtare “Club Fm”. Që tregon se profesionalizmi dhe dëshira për të punuar nuk mungojnë tek unë. Aq më tepër që nëse s;je profesionist nuk të mban askush 7 muaj në punë, se nuk po punojmë në “strehëza vorfnore” por në media. Uroj shumë që të kalojmë sa më parë këtë situatën e Covid-19 se për punë nuk ka vdekur njeri".