Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një lidhje direkte për emisionin "Open" në Top Channel është shprehur se viti shkollor nuk do të humbasë. Po ashtu Shahini tha se ka dy opsione për vlerësimin e nxënësve dhe studentëve.
Opsioni i parë është që vlerësimi të bëhet në bazë të leksioneve që janë marrë deri tani online dhe opsioni i dytë përfshin një përmbledhje të notave gjatë pjesës së parë të vitit.
"Do ishte shumë mirë që të kthehemi në shkollë për të mbyllur vitin akademik dhe vitin shkollor për nxënësit dhe studentët. Ky vit do të mbyllet dhe jemi të sigurt se do ta mbyllim këtë vit brenda Qershorit.
Në mënyrë që nxënësit që duan të ikin jashtë vendit ta mbyllin shkollën në Qershor. Edhe ata që mendojnë se kanë ngelur pas mund ta përsërsin vitin shkollor pa asnjë penalizim. Pra nuk do shkruhet askund se ata janë përsëritës.
Kemi dy opsione për vlerësimin. Një opsion është të bëjmë vlerësimin e leksioneve gjatë kohë që është zhvilluar mësim online dhe opsioni i dytë të bëjmë një përmbledhje të notave gjatë periudhës së parë të shkollës, bashkë me një përmbledhje të vlerësimit gjatë mësimit online.
Pra janë dy opsione dhe të dy opsionet po zhvillohen në shtete të tjera. Po shohim që dhe nxënësit shqiptarë të përfitiojnë”, u shpreh ministrja.
