Nga Shqipëria / E Enjte 23 Prill 2020, 17:05

Historia prekëse/ 12-vjeçarja në Vorë kujdeset për familjen që mami të punojë në fasoneri

Entela është vetëm 12 vjeç, por kujdeset për motrën dhe dy vëllezërit e vegjël në mënyrë që e ëma të shkojë të punojë në fasoneri, për të siguruar jetesën. Edhe pse shumë e vogël në moshë, Entela shprehet se nuk lodhet duke u kujdesur për familjen e saj.

"Kujdesem për motrën dhe vëllezërit. Është paska e vështirë por ia dal, i ushqej rregullisht, i vesh. Të kujdesesh për vëllezërit dhe për motrën nuk lodhesh asnjëherë”, shprehet Entela për "Report TV".

Ndërsa e ëma, Shahe Tusha mban shumë merak për fëmijët. "Është e vështirë shumë, frika më e madhe janë fëmijët. Janë vetëm, unë duhet të jem në punë patjetër, kam frikë se dalin jashtë. Fëmijët kujdesen për njëri-tjetrin. Entela kujdeset dhe për të tjerët. I kam shumë merak, si çdo nënë për fëmijët e saj", shprehet Shahe.

"Entela është një motër e mrekullueshme, është një gocë që falenderoj Zotin që ma ka dhënë. Shumë e vogël i ka rënë pesha dhe që në klasë të dytë është bërë prind. Mësueset më marrin në telefon që duhet të bëjë detyrat por nuk i marr dot online sepse nuk i kanë kushtet për t'i bërë. Janë munduar t'i bëjnë, por nuk e di sa kanë arritur t'i kuptojnë. Kjo është goca e mamit, motra e mamit, gjithçka për mua. I ka rënë pesha më e madhe. Gjithë kohës Entela ku janë kalamajtë, kujdesu për çunat se janë më të vegjël", shprehet Shahe Tusha për vajzën e saj të madhe.

Banesa ku jetonin me qira në Vorë është shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe tani strehëza e tyre është një pension të moshuarish. Prandaj Entela, ka vetëm një dëshirë: "Të më ndihmonin të kisha një shtëpi timen", shprehet ajo.

Burimi: Report TV