Ditën e djeshme deputeti Adriatik Alimadhi bëri të ditur se është shëruar nga Koronavirusi. Rreth një muaj pas shtrimit në spitalin e Infektivit testi i tij rezultoi negativ. Mirëpo ndonëse tashmë është shëruar nga Covid-19, komplikacionet i kanë shkaktuar probleme serioze në mushkëri.
Lajmin e ka bërë të ditur shefja e Shërbimit të Pneumologjisë, Silva Bala e cila në një lidhje direkte për “Raport Tv” ka treguar se mushkëritë e tij kanë nevojë të vazhdueshmë për oksigjen, por nuk është i intubuar. Bala u shpreh se pacientët edhe kur janë shëruar nga COVID-19, mushkërisë i duhen disa muaj që të rikuperohen plotësisht.
“Dje kam pritur edhe deputetin Alimadhi. Ai është shëruar nga covid por problemet e mushkërive mbeten serioze si pasojë e komplikacionit nga Covid-19. Alimadhi është në trajtim me oksigjen me presione të larta dhe ka nevojë të vazhdueshme që mushkëria e tij të trajtohet me oksigjen, por nuk është i intubuar", ka treguar ajo.
