Nga Shqipëria / E Mërkurë 22 Prill 2020, 21:09

Si do të përfundojë ky vit shkollor? Flet ministrja Shahini

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini me anë të një videoje direkte në llogarinë e saj të Facebook-ut ka folur rreth përfundimit të vitit shkollor. Ajo ka bërë me dije se vendimi përfundimtar do të merret në fund të Prillit dhe se qeveria ka gati dy skenarë.

Përsa i përket provimeve të maturës Shahini ka theksuar se nuk do të ketë pyetje nga mësimet e marra gjatë periudhës së koronavirusit, ndërsa për studentët do të vendosin vetë universitetet.

“Nuk ka ende një vendim final për mbylljen e vitit shkollor por do ta kemi në fund të Prillit pra punë ditësh. Thjesht po shohim situatën e koronavirusit dhe po presim një vendim nga Task Forca. Sidoqoftë i kemi të gjithë skenarët gati, për të dyja rastet. Maturantët na pyesin se kur do t’i publikojmë programet orientuese për ta. Gjithashtu në fund të Prillit. Nuk do përmbajnë temat që nuk janë zhvilluar në kushte shkolle. Studentët pyesin gjithashtu për mënyrën sesi do të mbyllet viti akademik. Ata kanë një fleksibilitet të shtuar duke qënë se provimet i kanë në Korrik por po punojmë shumë ngushtë me dekanët dhe rektorët.

Në fund të ditës vendimin e marrin Universitetet. Disa maturantë na kanë shkruar edhe se kur do të mbyllet viti dhe nëse do të kenë mundësi për të aplikuar jashtë vendit. Plani ynë është që gjithçka të përfundojë në kohë dhe të mos ketë pengesa për aplikimin jashtë vendit, shumë shpejt merret vendimi. I kemi gati skenarët dhe mësuesit. Maturantët kanë një pako të veçantë dhe përfshihet edhe një udhëzues sesi të punohet me ta. Pjesa e punës tek ta do të jetë e përqëndruar tek përsëritja. Na shkruani nëse kemi pyetje", ka treguar Shahini.