Në Shqipëri do të nisin testet serologjike me stafet mjekësore te Infektivi dhe Shefqet Ndroqi. Këto lloj testesh synohet të identifikojnë antritrupat e Koronavirusit për të parë nëse është krijuar imunitet tek njerëzit që testohen. Jemi në mes të një pandemie që aktualisht numëron 2,528,378 persona të infektuar në mbarë botën dhe 174,547 viktima. Nëse këto teste do funksionin do të ishte mrekulli, por sa të sigurtë janë?
Mjeku Tritan Kalo shprehet: "Nëse nuk gjenden antitrupa në organizëm do të thotë se ky organizëm nuk ka qenë fare në kontakt me virusin dhe në çdo kohë mund të bëhet pre e një infeksioni të tillë. Së dyti në organizëm pas ditës së 7 të kontaktit me virusin zhvillohen antikorpet IgM dhe pas ditës së 14 dhe 20 shfaqen antitrupa që shfaqin imunitet më të qëndrueshëm.
Përmes testit serologjik përcaktohen tre grupe individësh, individë pa asnjë imunitet, individët që kanë vetëm IgM dhe ata që kanë IgM dhe IgG që do të thotë se janë tashmë të imunizuar nga Koronavirusi".
Por shkencëtarët kudo në botë nuk i marrin testet si diçka të sigurtë. Ata janë ende duke hulumtuar nëse Koronavirusi të jep imunitet apo jo. Kjo sepse shumë njerëz që janë shëruar kanë rezultuar sërish pozitivë. Më poshtë po iu paraqesim shembujt konkretë:
Në Korenë e Jugut "Qendra e Kontrollit dhe e parandalimit të sëmundjeve" ka njoftuar se një total prej 141 pacientësh të shëruar kanë rezultuar pozitivë sërish. Drejtori Kwon Joon-wook u shpreh se ata ende nuk e dinë cila është arsyeja por po investigojnë për të. (Lexo këtu)
Në Guanggond, Kinë, zyrtarët shëndetësorë kanë raportuar se 14% e pacientëve të shëruar kanë rezultuar pozitivë sërish. Në Wuhan, epiqendra e pandemisë, përqindja e pacientëve të shëruar që kanë rezultuar sërish pozitivë është midis 5%-10%. (Lexo këtu)
Po ashtu dhe në Osaka, Japoni, është raportuar se ka raste që pacientët e shëruar kanë rezultuar sërish pozitivë. (Lexo këtu)
Studiuesit nga Universiteti Fudan në Kinë zbuluan se gati një e treta e pacientëve që kanë testuar kishin nivele shumë të ulëta të antitrupave ndaj Koronavirusit, që do të ishin të padobishëm në rast se pacienti do të infektohej sërish. (Lexo këtu)
Ato testuan 175 pacientë të rikuperuar dhe 30% e tyre kishin nivele antitrupash të padallueshme nga testi.
Anëtarët e Komitetit të Përhershëm të Akademisë Kombëtare të Shkencave për sëmundjet infektive në Amerikë, në një deklaratë për "Shtëpinë e Bardhë" janë shprehur se testet serologjike mund të mos jenë të besueshëm dhe për këtë bazohen në disa pika, njofton 'CNN'. (Lexo këtu)
Se pari, 'CNN' njofton se Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA, ka zbutur rregullat e saj dhe tani kompanitë mund të shesin teste antitrupash pa paraqitur të dhëna vlefshmërie që tregojnë nëse testet në të vërtetë funksionojnë, pra në treg mund të ketë shumë teste fallco.
Së dyti, ekzistojnë teste të mira mes atyre që nuk janë të vlefshëm por ata nuk janë ende lehtësisht të disponueshëm në të gjithë vendin.
Së treti, nuk është plotësisht e vërtetuar se të kesh antitrupa ndaj Koronavirusit do të thotë që me të vërtetë ke imunitet dhe nuk do ta marrësh sërish sëmundjen.
Po ashtu një problem vërtetë shqetësues është mundësia se disa nga testet mund të ngatërrojnë Koronavirusin që ka shkaktuar pandeminë aktuale me një nga Koronaviruset që shkakton ftohjen e zakonshme. Si rezultat, testet do i bënin njerëzit të mendonin se kanë antitrupa ndaj Koronavirusit dhe janë imunë, kur në fakt mund të mos jenë. Shkencëtarët shprehen se cilësia e testeve të antitrupave duhet të kontrollohet mirë. Rezultatet nga këto teste duhet të shihen si të dyshimta derisa të kryhen kontrolle rigoroze. (Lexo këtu)
Testet serologjike më shumë iu shërbejnë shkencëtarëve dhe qeverive për të kuptuar sa njerëz janë prekur realisht dhe sa prej tyre kanë vdekur. Kjo pasi mund të jetë një numër shumë i madh njerëzish të prekur që nuk janë testuar akoma. Pra këto lloj testesh shërbejnë më shumë për të nxjerrë të dhëna statistikore në lidhje me vdekshmërinë se sa për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
