Me 24 Mars qeveria shpalli në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të koronavirusit dhe sot Komisioni i Ligjeve ka miratuar shtyrjen e gjendjes deri më 23 Qershor.
Qeveria shprehet se shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është domosdoshmëri, sepse pas hapjes së bizneseve dhe lehtësimit të masave mund të krijohen kushte për rritjen e numrit të të prekurve.
Në vendimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme me datë 24 Mars theksohej: “Kufizimi i të drejtave të garantuara nga nenet 37, 38, 41 pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve.”
Të drejtat e mëposhtme (sipas neneve të lartpërmendura) nuk do të na garantohen deri në përfundim të gjendjes së fatkeqsisë:
Neni 37
1. Paprekshmëria e banesës është e garantuar.
2. Kontrollet e banesës, si dhe të mjediseve që njësohen me të, mund të bëhen vetëm në rastet dhe në mënyrat e parashikuara me ligj.
3. Askujt nuk mund t’i bëhet kontroll vetjak jashtë procesit penal, me përjashtim të rasteve të hyrjes në territorin e shtetit dhe të daljes prej tij ose për të mënjanuar një rrezik që i kanoset sigurimit publik.
Neni 38
1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit.
2. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.
Neni 41, pika 4
Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
Neni 49
1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
2.Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.
Neni 51
1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar.
2. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.
Më poshtë mund të lexoni vendimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme (Datë 24 Mars):



