Nga Shqipëria / E Martë 21 Prill 2020, 16:04

Aktori i madh Rikard Ljarja u përcoll në banesën e fundit, flet mes lotësh e shoqja

Aktori i madh i humorit, Rikard Ljarja u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 77 vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë që fatkeqësisht i mori jetën. Këtë të Martë i ndjeri u përcoll për në banesën e fundit në Shkodër, sipas amanetit.

Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 në vend, njerëzit ishin të paktë në numër, vetëm miq dhe familjarë të afërt. Bashkëshortja e tij, aktorja Mirjeta Ljarja ka gjetur forcën që mes lotësh të shprehë mirënjohjen për të gjithë të pranishmit që ishin pranë familjes së saj në këtë moment të vështirë.

"Nuk kam pishman që është një përcjellje kaq e thjeshtë, por është shumë shpirtërore. Mesazhet janë pafund që kanë dalluar pjesën njerëzore, pjesën e mirë të Rikardit, jo pjesën e ekranit. Ju falenderoj që e thyet këtë vështirësi dhe jeni këtu me ne sot. Është shumë më e bukur, kaq thjeshtë, më njerëzore”, është shprehur Mirjeta, raporton “Report Tv”.