Aktori i njohur shqiptar Rikard Ljarja ka humbur jetën në moshën 77 vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë që prej tre muajsh dhe prej kohësh nuk kishte dalë nga shtëpia. Familja e të ndjerit ka njoftuar se për shkak të Koronavirusit në ceremoninë mortore do të jetë prezent vetëm rrethi i ngushtë.

Ai ka lënë gjurmë në kinemanë shqiptare me punën e tij të pandërprerë dhe plot pasion. Aktori mbante titullin "Artist i merituar". Në vitin 1960 ka mbaruar maturën në Shkodër ndërsa më 1965 është diplomuar në Insitutin e Lartë të Arteve, Tiranë.

Ljarja ka punuar aktor në teatrin "Migjeni" në Shkodër. Nga viti 1973-1966 ka punuar në kinostudion "Shqipëria e Re", ndërsa prej vitit 1996-2002 (kur doli në pension), ishte drejtor artistik në Televizionin Shqiptar.

Aktori ka luajtur në disa nga filmat më të pëlqyer të publikut shqiptar. Një ndër rolet me të cilin është dalluar është ai i Dedës në filmin "Rrugë të Bardha". Përveçse aktor ai ishte dhe regjisor, konkretisht në filmat "Kur hapen dyert e jetës", "Pesha e Kohës", "Fundi i një gjakmarrjeje", "Dita e parë e emrinit", "Radiostacioni" etj.




