Nga Shqipëria / E Hënë 20 Prill 2020, 18:06

Në front me Covid-19, ç’thanë 60 infermierët para se të niseshin në Itali (Video)

Pas 30 mjekëve dhe infermierëve që u nisën para një muaji në Itali, këtë të Hënë u nisën dhe 60 infermierë të tjerë për të ndihmuar vendin fqinj. Ministria e Shëndetësisë është shprehur se ky mision i bluzave të bardha është një shenjë solidariteti për situatën e vështirë që po kalon Italia.

Një pjesë e infermierëve që u nisën sot nga Aeroporti i Rinasit do të shërbejë në spitalin e Anconës, ndërsa për pjesën tjetër do të vendosin autoritetet italiane. Në një video të publikuar nga kryeministri Edi Rama në llogarinë e tij të Facebook-ut disa nga 60 infermierët përpara se të niseshin janë shprehur para kamerave se kanë pranuar menjëherë të vihen në ndihmë të Italisë në këtë periudhë të vështirë dhe kanë treguar motivet e tyre.

Infermieret/Infermierët janë shprehur si më poshtë:

“Zgjodha të shkoj infermiere vullnetare pasi Italia ndodhet në gjendje të vështirë dhe dua të jap ndihmën time.”

 “Shumë nga të afërmit e mi jetojnë në Itali dhe ato mund të kenë nevojë për ndihmë.”

 “Formimin profesional që unë e kam marrë në Itali, dua ta kthej.”

“Mendojmë që t’i kthejmë nderin që Italia ka bërë për ne vite më pare.”

“Duam t’iu vijmë njerëzve në ndihmë, të tjerat janë në plan të dytë.”

“Kam dëshirë të jem humanitare sepse infermierët janë pjesë e humanizmin.”