Pasditen e sotme kryeministri Edi Rama ishte në një lidhje direkte për “News24”. Ai ka treguar se hapja totale e vendit është e shoqëruar nga rreziku por nuk ekziston një skenar që ne ta presim në shtëpi ikjen e virusit.
Kjo sepse është e pamundur si nga ana ekonomike ashtu dhe nga ajo sociale. Në mungesë të një vaksine, kryeministri shprehet se do të nisë një fazë tranzicioni në bashkëjetesë me rrezikun.
"Hapja ka rrisk por nga ana tjetër nuk ekziston një skenar që ta presim në shtëpi ikjen e virusit, ne mund të rrimë në shtëpi të mbyllur edhe për një vit ta zëmë teorikisht, gjë që është e pamundur nga ana ekonomike dhe sociale por kjo nuk do të thotë që pas një viti virusi të ketë ikur.
Teorikisht (sepse praktikisht është e pamundur) ne mund të arrijmë që të këmi 0 infektime të zbuluara por kjo nuk do të thotë që të ketë 0 infektime në territor. Infektimi në territor është kudo, në cdo vend më shumë se ai që është i zbuluar sepse është infektimi asimptomatik. Duke ndjekur ekspertët dhe tani gjurmimi është shtrirë te asimptomatikët, duke u bazuar gjithmonë te kontaket.
Në të gjitha rastet duhet të kemi parasysh që nëse nuk del vaksina virusi do të jetë vërdallë, do të jetë gjithmonë një rrezik potencial. Të gjitha vendet nuk mendojnë një dalje të menjëherëshme, por një fazë tranzicioni në bashkëjetesë me rrezikun. Nga një anë shoqërohet me masa drastike për ata që nuk zbatojnë urdhrat, dhe nga tjetër qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet", u shpreh Rama.
Po ashtu kryeministri u shpreh se cdo gjë do të bëhet hap pas hapi, duke filluar nga blloku i pare i lehtësimit që lidhet me aktivitetet e hapura dhe më pas më një bllok të dytë lehtësimesh.
“Çdo gjë bëhet hap pas hapi. Nuk mund të bëjmë gjëra ndryshe nga shtetet e tjera. Me bllokun e parë të lehtësimit që është tanimë blloku i aktiviteteve të hapura, është lehtësuar puna për një pjesë të konsiderueshjme të njerëzve dhe për një pjesë të aktivetieteve në Shqipëri.
Javën tjetër janë mbi 27 mijë njerëz që kthehen në punë, më listën e dytë të bizneseve që do të hapen. Shifër që nuk është e vogël. Më tej në bazë të shifrave do të vendosim se çdo të bëjmë. Situata në spitalet covid është në kontroll, ndërkohë që po përgatisim edhe spitalin tjetër", tha kryeministri.
