Nga Shqipëria / E Hënë 20 Prill 2020, 14:02

Në 27 prill hapet blloku i dytë i bizneseve, ja kush rikthehet në punë

Kryeministri Rama përmes një komunikimi live në Facebook deklaroi se më 27 prill do të hapet blloku i dytë i bizneseve. Rama theksoi se bizneset duhet të qëndrojnë gati për t'u rikthyer në fazën fillestare nëse epidemia do të arrije në nivele të padëshirueshme.

"Të hënë më 27 prill hapet blloku tjetër i bizneseve, me protokolle të caktuara. Dua të analizoj dhe është shumë e rëndësishme se protokollet duhen lexuar dhe zbatuar, pasi hapja vjen me risk. Ne kemi mjete penalizuese, duke përfshirë edhe masat e reja të Kodit Penal që hyn në fuqi këto ditë, por fillimisht duhet të mendojnë për veten jo ndëshkimet. Duke mbrojtur njëri-tjetrin atëherë mund të hapemi. Hapja në të gjithë botën është një proces gradual dhe askush nuk e di si do të shkojnë gjërat. Të gjithë janë të përgatitur për t'u tërhequr nëse dinamika e epidemisë kap nivele negative. Do të publikohen sot që të marrin masat që të jenë në rregull. Lista e aktiviteteve që do të hapen do të publikohen në e-albania dhe çdo aktivitet ka Kodin e vetë përkatës.

Me këtë bllok të dytë ne i japim mundësinë 27589 punonjësve të regjistruar, këtu hyjnë shitje me pakicë në dyqane, tregtim me pakicë e veshjeve, mallrave të tjera, tregtia me pakicë e këpucëve, tregtia me pakicë e mobiljeve, pajisjet e ndriçimit, tregtia me pakicë e luleve, e bizhuterive, e pajisjeve audio dhe video, qylymave, e lodrave, e pajisjeve sportive, e sistemeve të sigurisë dhe taksitë me një person brenda në diagonal", tha Rama.