Kryeministri Rama në një komunikim me qytetarët ditën e sotme ka deklaruar se nisma e paralajmëruar disa muaj më parë për amnisti fiskale, tashmë është gati të shkojë në Parlament dhe më pas të mund të miratohet. Rama e ka quajtur një nismë shumë të rëndësishme dhe ka ritheksuar se afati për depozitimet do të jetë 1 vit, brenda të cilit nuk do të ketë asnjë konsekuencë.
"Siç iu thashë po bëjmë një bashkëbisedim duke u nisur nga një nismë me shumë rëndësi për shoqërinë dhe ekonominë tonë që e kemi paralajmëruar edhe kohë më parë. Tani jemi gati që pasi të kalojmë këtë javë në qeveri, t’ja çojmë parlamentit për të bërë konsultime dhe më pas të miratohet brenda një afati të arsyeshëm, uroj brenda muajit maj. Fjala është për Amnistinë Fiskale. Një amnisti fiskale e domosdoshme pasi për 30 vjet me radhë qindra mijëra shqiptarë kanë punuar jashtë vendit dhe kanë kursyer plot kursime pa mundur t'i depozitojnë në banka. Duke vazhduar me shumicën dërrmuese në Shqipëri. Po ashtu kompani të shumta që kanë të holla të padeklaruara të padepozituara. Do jetë një amnisti që do të mundësojë lehtësi maksimale për të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit, por edhe ata që jetojnë në vendin tonë.
Pa diskutim amnistia ndalon riciklimin e të ardhurave nga aktivitete kriminale dhe korrupsioni, që do të thotë se përjashtohen të gjithë ata të cilët janë të dënuar për aktivitete të caktuara që hyjnë në veprimtarinë kriminale që është subjekt i drejtpërdrejtë i OFL. Po ashtu përjashtohen të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë së bashku me rrethin familjarë dhe ata që militojnë në radhët e policisë, gjykatës, prokurorisë apo në radhët e rangjeve të larta të administratës.
Amnistia mendohet të ketë kohëzgjatje prej një viti dhe tre fasha katër mujore. Në të parën detyrimi për të depozituar paratë do jetë 5%, në të dytën 7% dhe në të tretë 10%, por kjo do të diskutohen në proces. Amnistia do jetë fiskale dhe penale, për këtë periudhë nuk do të ketë në të ardhmen asnjë konsekuencë veç rasteve kur një subjekt ka bërë një vetëdeklarim të rremë", u shpreh kryeministri.
