Nga Shqipëria / E Diel 19 Prill 2020, 21:09

Koronavirusi vret 100 mijë njerëz, Europa kthehet në kryeqytetin e murtajës në botë

Numri i viktimave nga koronavirus në mbarë botën ka arritur mbi 160 mijë, teksa më shumë se 2 milion të infektuar janë deklaruar në të gjithë globin. Rreth 2,392,166 raste me koronavirus janë shënuar në 193 vende që kur pandemia u shfaq në Kinë në dhjetor.

Gjithsej 164,391 të infektuar kanë vdekur dhe më shumë se 100,000 nga ky total kanë vdekur vetëm në Evropë. Të paktën 614,756 konsiderohet se janë shëruar.

Këto shifra të publikuara nga OBSH dhe autoritetet kombëtare besohet se pasqyrojnë vetëm një pjesë të numrit të vërtetë të infeksioneve pasi shumica e vendeve po testojnë vetëm ato me simptoma të rënda.

Në SHBA i cili tani është vendi më i goditur nga koronavirusi, numri i të vdekurve ka shkuar në 40,131 dhe numri i të infektuarve ka shkuar në 756,856. Përkundër këtyre statistikave, Trump shprehet se më e keqja ka mbaruar.

Spanja është në vendin e dytë si vendi më i prekur, me 20,453 viktima në total dhe 195,944 të infektuar. Sot shifrat në Spanjë u ulën mjaft, duke shënuar 410 viktima dhe 1,528 raste të reja.

Italia është vendi i tretë më i prekur, me 23,660 viktima dhe 178,972 të infektuar. Megjithatë sot Italia raportoi shifra më të ulta ditore me 433 viktima dhe 3,047 raste të reja.

"Ne po punojmë për të zbutur disa masa kufizuese dhe t'i lëmë të gjithë të jetojnë të sigurt me virusin gjatë muajve të ardhshëm," tha Kryeministri Giuseppe Conte për gazetën "Il Giornale"./Xing.al