Nga Shqipëria / E Diel 19 Prill 2020, 16:04

A do bëjmë plazh sivjet apo jo? Flet ministri Klosi

Sot do duhej të ishin plazhet plot, por pandemia e koronavirusit i ka mbyllur të gjithë në shtëpi. Në këto kushte, ka nisur diskutimi për një strategji për hapjen e sezonit turistik. Kështu tregoi ministri i Turizmit Blendi Klosi në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Televizionin Klan.

Ai u shpreh se i takon mjekëve që të vendosin se kur mund të hapen plazhet dhe sesi do të funksionojë në mënyrë që të mos ketë rrezik për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kjo ditë shënonte hapjen e sitës së plazhit, do duhet të ishin plazhet plot, por pandemia na ka vënë në rrezik dhe them që prioritet është jeta e njerëzve, pastaj teknikat dhe politikat, për hapjen më shumë a më pak do e vendosin doktorët. Ka ardhur koha të mendojmë për turizmin, kemi filluar të bëjmë një strategji. Ka nevojë që të mbështetet turizmi duke bërë pushime brenda kufijve.

Ajo që do punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë  janë parimet e Organizatës Botërore të Turizmit por dhe me dakordësim me partnerët e rajonit, po përgatisim rregullat për distancimin social edhe në zonat e plazhit, po përgatisim edhe opinionin që dhe këtë vit plazhi nuk mund të jetë si në 2019,  do jetë gjithçka më e reduktuar. Por ne shpresojmë që do të kemi mundësi që sezoni të ketë turizëm”, tha Klosi.