Erion Muçollari dhe Anxhela Ferhati u martuan të dielën e 12 prillit, në një ditë shtetrrethimi, ku në rrugë nu lëvizte askush veç policisë, personelit mjekësor e ushtrisë me autoblinda. Edhe pse në kushte të pazakonta të një kohe pandemie dhe me shumë tradita të pamundura për t’u përmbushur, çifti sërish nuk e anuloi ditën e dasmës. Në një intervistë për "Politiko.al", ata tregojnë sesi e zhvilluan dasmën e pazakontë.
"Sigurisht, kjo ditë ishte menduar ndryshe, si një ditë shumë më festive dhe me shumë të ftuar, të afërm, miqtë tanë, por për shkak të situatës së pandemisë që preku edhe vendin tonë, shumë gjëra ndryshuan. Dasma jonë u zhvillua me një drekë familjare me pak njerëz, pra vetëm me familjarët tanë, por gjithësesi ishte një ditë e veçantë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë.

Dita e dasmës sonë u zhvillua të dielën siç e kërkon tradita. Proceduam sipas rregullave që kishte bërë të ditur policia. Morëm leje tek Policia Rrugore për fashën orare 11.00-12.00 për lëvizjen e dy makinave me nga dy persona secila. Na u desh të planifikonim mirë çdo detaj sepse kishim në dispozicion vetëm 60 minuta kohë. Që kjo të bëhej e mundur brenda afatit tonë, aplikuam një javë më parë leje, e cila na u aprovua. Gjatë kësaj kohe të limituar, dhëndri shkoi me makinë dhe e mori nusen me fustan të bardhë sipas traditës.
Nuk patëm asnjë problem. Madje, gjatë kthimit, një postobllok na respektoi me nderim ushtarak. Ishtë një moment shumë pikant për ne.
Në dasmë kishim ftuar mbi 400 persona, 160 nga unë dhëndrri dhe mbi 250 të nuses. Por siç e shihni edhe nga foto, përfundoi me shumë pak persona në shtëpinë tonë private me oborr. Gjithësesi, edhe mes atyre kushteve doli një dasmë shumë e këndshme.

Më fakt, muajin e fundit që na preku situata e pandemisë, filluam ta pranonim se shumë gjëra po ndryshonin. Fillimisht, menduam të presim deri në fillim të prillit, por duke parë situatën vendosëm të mos anulojmë dasmën në ditën që kishim përcaktuar. Anuluam vetëm rezervimin e restorantit.
Çdo gjë funksionoi si një dasmë normale, sigurisht duke respektuar distancën mes njëri-tjetrit. Mund të them se edhe urimet e shumta që morëm nga miqtë dhe të afërmit tanë, na e bënë atë ditë edhe më të bukur.
Traditat që u respektuan ishte pritja e nuses me oriz dhe me karamele, këputja e kulaçit dhe tek dera e shtëpisë rituali i lyerjes së derës me mjaltë. Shaminë e beqarit nuk e dogja. Mbajtjen e dorezave dhe maskave e morëm me shumë sportivitet dhe kjo do jetë një kujtim i bukur për më vonë, kur t’u rikthehemi kujtimeve të kësaj dite.
Për muajin e mjaltit nuk kishim planifikuar diçka të veçantë sepse nusja është shtatzanë"
Burimi: Politiko.al

