Nga Shqipëria / E Shtunë 18 Prill 2020, 17:05

E fundit/ Ndërron një jetë një pacient tek Infektivi, reagon Ministria e Shëndetësisë

Ka ndërruar jetë pak më parë tek spitali Infektiv një burrë nga Shkodra, i cili ishte shtruar disa ditë më parë për shkak të koronavirusit. "Abcnews.al" bën të ditur se pacienti 69-vjeçar që ndërroi jetë kishte sëmundje të tjera shoqëruese. Me anë të një reagimi, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se koronavirusi nuk ka qenë shkak për vdekjen e 69-vjeçarit, por pacienti ka ndërruar jetë si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Shtohet gjithashtu se 69-vjeçari prej 13 vitesh kishte tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. 

Njoftimi:

Lidhur me lajmin e publikuar në media për vdekjen e një pacienti 69-vjeçar nga Shkodra me COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se:

Pacienti 69-vjeçar nga Shkodra që ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, ka humbur jetën si pasojë e sëmundjes hemoragjisë cerebrale (aksidentit vascular hemoragjik).

69-vjeçari ishte prej 13 vitesh me tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. Kishte hemorragji cerebrale dhe ishte në gjendje të rëndë në koma.

Sipas spitalit infektiv, 69-vjeçari nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte bartës i virusit, por pa shenja të sëmundjes, (asimptomatik) dhe ka ndërruar jetë si pasojë e hemoragjisë cerebrale.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare.