Nga Shqipëria / E Shtunë 18 Prill 2020, 17:05

'Shqipëria vuan nga kompleksi i inferioritetit', nxehet keq Alban Skënderaj

Përdorimi i fjalëve të huaja në vendet shqipfolëse e ka nxehur së tepërmi këngëtarin e njohur Alban Skënderaj. Ai ka reaguar përmes një statusi në rrjete sociale, ku ka marrë dhe një shembull konkret.

Një gazetare nga Kosova në një televizion të Shqipërisë ka thënë "kartë identiteti" (fjalë e huazuar) dhe jo "letërnjoftim" që përdoret gjerësisht në Instagram. Kjo nuk i ka lënë aspak përshtypje të mirë Albanit i cili shprehet se "Shqipëria vuan nga kompleksi i inferioritetit me këto huazime të kota".

“Po e shkruaj këtë herë se po e lashë do harroj si gjithmonë. Sapo pashë në televizor që edhe një gazetare e Kosovës (e ndikuar sepse po i fliste publikut të Shqipërisë) përdori fjalën “kartë identiteti” dhe jo “letërnjoftim” që është e njëjta fjalë, por në shqip dhe në Kosovë, ndryshe nga këtu, përdoret rregullisht.

Ju lutem në Kosovë e jo vetëm, mos u ndikoni nga Shqipëria që vuan nga kompleksi i inferioritetit me këto huazime të kota. Jemi neve që duhet të marrim shembull nga juve për mënyrën se si i shqipëroni fjalët me aq logjikë, thjeshtësi e përgjegjësi.

E njëjta gjë më ka ndodhur vitet e fundit me fjalë si “autostradë” etj. Është një temë e gjatë dhe shembujt janë pafund dhe banalë. Kam jetuar shumë vite jashtë dhe nuk kam bagazhin e një gjuhëtari, edhe unë gaboj, por kam vullnetin e mirë aq më tepër në raste kaq të dukshme!

Nuk jam i paarsyeshëm të diskutoj për fjalë të huaja që kanë vite e shekuj që kanë hyrë tek ne për shkaqe historike kur pjesa dërrmuese e popullsisë ishte analfabete, por është papërgjegjshmëri fëminore të fusim fjalë të huaja pa kriter aq më tepër në media  të shkruar, televizione madje dhe institucione në vitin 2020", shkruan artisti.