Nga Shqipëria / E Shtunë 18 Prill 2020, 16:04

U nis nga Italia për në Shqipëri me biçikletë, shqiptari merr një gjobë të majme

Ditën e djeshme është ndaluar nga policia një shqiptar në Itali. 33 vjeçari po pedalonte biçikletën e tij përgjatë autostradës A27 dhe kishte si qëllim të kthehej në Shqipëri.

Ai rrezikohej prej trafikut të makinave në autostradë dhe ndërhyrja e policisë i ka shpëtuar jetën. 33 vjeçari me banim në Marca ishte shtruar në spital në Ca 'Foncello pasi vuante nga problemet me ankthin, i cili i ishte shkaktuar nga izolimi i gjatë.

Ai kishte marrë biçikletën, pa doreza dhe maskë, dhe ishte nisur për rrugë. "Dua të kthehem në Shqipëri", është shprehur për policinë. 33 vjeçari ishte në gjendje psikologjike të rëndë por megjithatë nuk i ka shpëtuar gjobës.

Policia e ka gjobitur me 42 euro për hyrje të paligjshme në autostradë (biçikletat nuk lejohen) dhe 533.33 euro për mosrespektim të dekretit  të lëshuar nga qeveria për të parandaluar përhapjen e Koronavirus.

Burimi: "ilmessaggero.it"